Rreth 300 milionë vende pune në mbarë botën mund të automatizohen në një farë mënyre nga vala më e re e inteligjencës artificiale që ka krijuar platforma si ChatGPT.
Në një raport të bankës Goldman Sachs, parashikohet se 18% e punës në botë mund të kompjuterizohet duke rrezikuar vendet e punës dhe efektet do të ndiheshin më thellë në ekonomitë e përparuara sesa tregjet në zhvillim.
“Kjo është pjesërisht për shkak se punëtorët e zyrave shihen të më të rrezikuar të zëvendësohen nga teknologjia se sa punëtorët e krahut. Punonjësit administrativë dhe avokatët pritet të jenë më të prekurit, ndërsa një efekt i vogël do të prek profesionet që kërkojnë punë fizike si ndërtimi, restaurimi etj.”, thuhet në raportin e ekonomistëve të Goldman Sachs.
Nëse inteligjenca artificiale “i përmbush aftësitë e saj të premtuara, tregu i punës mund të përballet me shkurtime të konsiderueshme”, shkruajnë ekonomistët, raporton CNN.
ChatGPT, i cili mund t’u përgjigjet kërkesave dhe të shkruajë ese, tashmë ka nxitur shumë biznese të rimendojnë se si njerëzit duhet të punojnë çdo ditë.
Këtë muaj, zhvilluesi i tij zbuloi versionin më të fundit të softuerit që qëndron pas robotit, GPT-4. Platforma ka impresionuar shpejt përdoruesit e hershëm me aftësinë e saj për të thjeshtuar kodimin, për të krijuar me shpejtësi një faqe interneti nga një skicë e thjeshtë dhe për të kaluar provimet me nota të larta.
/rtsh.al/