TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 33 të prekur nga COVID-19, duke e çuar në 1034 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Dr. Eugena Tomini nga Insituti i Shëndetit Publik tha sot në komunikimin e përditshëm se “lajmi i mirë është se gjatë 24 orëve të fundit numri i të shëruarve është më i lartë se ai i të prekurve nga COVID-19.  Janë shëruar 33 qytetarë”.

“Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 19  862  testime gjithsej dhe janë konfirmuar pozitivë 1416 raste”, – tha Tomini.

Tomini tha se “pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, një pacient nuk e ka fituar dot betejën me Covid19. Në 24 orët e fundit ka ndërruar jetë në spitalin infektiv një pacient 71-vjeçar nga Durrësi, i shtruar prej më shumë se dy javësh”.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 300 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 31 raste pozitive, pjesa më e madhe kontakte familjare të rasteve të konfirmuara pozitivë, por ka disa raste të reja në proces hetimi në Elbasan, Vlorë, Shkodër dhe Tiranë.

ATSH