ATSH/ “Krishti u ringjall. Mos kini frikë! U ringjall siç kishte thënë.”

Ky ishte lajtmotivi i meshës së Pashkës mbajtur në mesnatë në Katedralen katolike “Shën Pali” në Tiranë që u mbush me besimtarë të të gjitha moshave.

Mesha u drejtua nga Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë-Durrësit , Imzot Arjan Dodaj.

“Kjo vigjilje që po përjetojmë së bashku është përvoja që njerëzimi priste që nga largimi prej kopshtit të Edenit. Në këtë kremtim janë me ne edhe të dashurit tanë që na paraprinë në jetën e pasosur sepse Pashka vlen për të gjithe”, tha imzot Dodaj.

 

Arqipeshkvi uroi: “Pashkë të shenjtë që të jetë rilindje në shpirt në familjet tona, në çdo të ri e të re shqiptare. Me Zotin çdo shpresë e vdekur ringjallet e merr jetë me më shumë dritë, entuziazëm për të sotmen e të ardhmen. Kush beson, kurrë nuk i trembet jetës, së ardhmes, kurrë nuk u shmanget sfidave”.

Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit kujtoi se, me përfundimin e kësaj vigjilje pashke, fillon dita e re, dita që bëri Zoti. “Që prej atëherë kisha dhe besimtarët luten në heshtje, ashtu si edhe në këtë të premte të shenjtë në Udhën e Kryqit në sheshin “Nënë Tereza”, tha ai.

Dodaj përmendi konfliktet dhe luftërat që po stërmundojnë mbarë njerëzimin në këto kohë të errëta dhe uroi që: “Zoti na mbushtë me shkëlqimin e tij të shenjtë”.

Në përfundim të meshës, Imzot Dodaj pagëzoi disa besimtarë.

Pashka, kremtimi i ngjalljes se Krishtit është një nga ngjarjet më të rëndësishme për besimtarët katolikë.

Mesazhi qendror i Pashkës mbetet shpresa dhe triumfi i jetës mbi vdekjen. Pashka sjell gjithashtu një mesazh uniteti dhe paqeje, duke i ftuar të gjithë të kontribuojnë për një botë më të drejtë dhe më njerëzore. /e.ruzi/ /a.g/