ATSH/ Sot është e marta e katërt e pelegrinazhit në Kishën e Shna Ndout.

Vendi ku ngrihet kisha frekuentohej edhe në kohën e diktaturës, por udhëtimi drejt saj nuk ishte i organizuar. Kisha u shkatërrua në vitin 1971 nga sistemi i asaj kohe për t’u rindërtuar në vitin 1990. ATSH sjell në kujtesë një fotografi të vitit 1995, kohë kur pelegrinazhi, prej pak vitesh, ishte i lirë dhe masiv.

Në foto dallohet procesioni që i drejtohet kishës me pjesëmarrjen masive të qytetarëve të cilët prej pak vitesh kishin fituar lirinë e besimit dhe manifestimit të këtij besimi në vendet e kultit të sapohapura dhe në pelegrinazhe të kësaj natyre, itineraret e të cilave ishin ruajtur me fanatizëm në kujtesën familjare.

Shumë besimtarë edhe sot zgjedhin ta përshkojnë rrugën në këmbë si shenjë sakrifice. Gjatë rrugës ndalojnë për lutje dhe ndezje qirinjsh, duke vizituar edhe Shpellën e Shën Vlashit që ndodhet pranë kishës.

Çdo vit në këtë periudhë pranë kishës regjistrohet një fluks i madh pelegrinësh, që në ditët e fundit të tij, mendohet se arrin në 500 mijë vizitorë. Njerëzit besojnë se po të flenë nën hijen e kishës mund të shërojnë sëmundjet e të ndjellin fatin e mirë.

Kisha e Laçit daton që prej vitit 1300 kur u ndërtua për herë të parë nga fratet françeskanë. Pelegrinët pas 13 të martave që kanë vizituar vendin e mirë, mblidhen për ditën e madhe të Shna Ndout. Aty shkojnë mijëra besimtarë nga e gjithë Shqipëria madje edhe nga diaspora. Pelegrinazhi për 13 të marta rresht, nis në mars dhe kulmon më 13 qershor.

/j.p/