Vendimi përcakton se këtij procesi i nënshtrohen të gjitha pronat e paluajtshme shtetërore dhe pasuritë e luajtshme, objektet e veçanta, mjetet kryesore dhe mjetet e xhiros të ndërmarrjeve shtetërore, si dhe asetet e shoqërive tregtare të zbritura nga kapitali i tyre, të cilat plotësojnë kriteret për privatizim.

Komisioni i vlerësimit të pronës shtetërore ngrihet nga ministri përgjegjës për Ekonominë dhe përbëhet nga tre anëtarë: përfaqësuesi i strukturës përgjegjëse për privatizim, një ekspert vlerësues i licencuar dhe një përfaqësues i ndërmarrjes apo institucionit në administrim ose pronësi të të cilit ndodhet prona shtetërore.

Sipas nevojave të procesit, ministri përgjegjës për Ekonominë mund të urdhërojë pjesëmarrjen në komision edhe të një audituesi apo ekspertëve të tjerë të licencuar.

Vlerësimi i objekteve bëhet nga komisioni i vlerësimit në përputhje me vlerën reale të tregut, në zbatim të legjislacionit në fuqi. Komisioni mban përgjegjësi për vlerësimin e kryer dhe dokumentet e hartuara e të nënshkruara prej tij.

Në rastet kur çmimi i truallit nuk figuron në hartën e çmimeve, vlerësimi i pronës shtetërore kryhet sipas vlerës së tregut. Përcaktimi i vlerës së pronës shtetërore dhe përzgjedhja e metodologjisë së vlerësimit janë në përgjegjësinë e ekspertit vlerësues.

Vendimi parashikon që para fillimit të procedurës së ankandit kërkohet informacion mbi vendimet e trajtimit të pronës shtetërore nga Agjencia e Trajtimit të Pronës dhe vetëm më pas vazhdohet me ankandin.

Për pronarët e truallit, njoftimi publikohet në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për ekonominë, në mjediset e pronës shtetërore dhe në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare për një afat prej 20 ditësh.

Nëse ish-pronarët e truallit nuk paraqesin dokumentacionin e kërkuar, bëhet një njoftim i dytë dhe përcaktohet një afat i ri prej 15 ditësh për dorëzimin e dokumentacionit ligjor. Nëse edhe brenda këtij afati dokumentacioni nuk paraqitet, prona shtetërore kalon për shitje me ankand.

Në rast të realizimit të shitjes së objektit së bashku me truallin, vlera e truallit e përcaktuar sipas hartës së vlerës i kalon drejtpërdrejt ish-pronarit të truallit.

Për objektet ndërtimore, të cilat kanë dalë në ankand jo më pak se tre herë brenda një periudhe 12-mujore dhe nuk ka pasur shprehje interesi për blerjen e objektit, ministria përgjegjëse për ekonominë e dërgon dokumentacionin në Agjencinë e Trajtimit të Pronës për t’u përdorur si fond i kompensimit fizik.

Pas pagesës së vlerës së plotë të pronës shtetërore, drejtuesi i strukturës përgjegjëse për shitjen e pronës shtetërore nënshkruan kontratën e shitjes me blerësit privatë.

Vendimi parashikon gjithashtu se, në rast se në dosjen e privatizimit të pronave shtetërore mungon dokumentacioni, struktura përgjegjëse për shitjen e pronës shtetërore ka të drejtë të kërkojë informacion dhe dokumentacion pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave ose Arkivit Shtetëror Vendor.

Ndryshimet parashikojnë edhe rregulla për rastet e qirasë ose enfiteozës, duke përfshirë investimet, të drejtat e parablerjes dhe detyrimet që lidhen me kontratat përkatëse.

Për objektet ndërtimore të nxjerra në ankand jo më pak se tre herë brenda një periudhe 12-mujore, pa shprehje interesi për blerjen e objektit, dokumentacioni dërgohet në Agjencinë e Trajtimit të Pronës për t’u përdorur si fond i kompensimit fizik.

/m.m/a.f/