Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro vlerësoi sot se kjo është veprimtaria më e rëndësishme vjetore kushtuar mësimdhënies së gjuhës shqipe jashtë atdheut.

Kumbaro bëri të ditur se seminari organizohet nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Kosovës, e këtë vit vjen me temën “Motivimi i nxënësve në diasporë për mësimin e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e identitetit kombëtar”.

“Mbi 200 mësues të gjuhës sonë nga vende të ndryshme, studiues, ekspertë të arsimit dhe përfaqësues institucionesh, të cilët do të shkëmbejnë përvoja, praktika të suksesshme dhe ide për zhvillimin e mësimit të gjuhës shqipe”, tha Kumbaro.

Në kuadër të vijimit të mbështetjes shtetërore për arsimin shqip në 15 vende ku jetojnë komunitete të gjera shqiptarësh, ka nisur shpërndarja e teksteve mësimore për vitin shkollor 2026-2027, një nga proceset më të rëndësishme në mbështetje të mësimit të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare për fëmijët shqiptarë jashtë vendit.

Këtë vit, me financim të qeverisë shqiptare, do të shpërndahen mbi 5800 paketa mësimore, duke garantuar që tekstet të mbërrijnë falas tek të gjithë nxënësit dhe mësuesit e Diasporës.

/m.m/j.p/