ATSH/ Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku ndau detaje nga drafti i Partisë Socialiste për riorganizimin e hartës territoriale, duke theksuar se fokusi është rritja e efikasitetit dhe afrimi i strukturave vendore me standardet e Bashkimit Evropian dhe jo interesi elektoral.

Mazniku mohoi që ndryshimet territoriale të propozuara nga mazhoranca të jenë të lidhura me rezultatet zgjedhore dhe për këtë solli edhe shembullin e Elbasanit.

“Absolutisht jo! Elementi politik nuk është futur fare në këtë diskutim. Partia Socialiste sot ka 55, nga 61 bashkitë e vendit. Nuk e ndikon fare rezultatin e socialistëve në nivel kombëtar mënyra se si lëvizin apo preken bashkitë. Po ta shikoni në mënyrë shumë të qartë dhe të sinqertë, këtu kemi të bëjmë me një synim për të përmirësuar në mënyrë maksimale efikasitetin dhe funksionalitetin e këtyre bashkive.

Sot, për ta marrë si shembull, Elbasanin, Cërrikun dhe Belshin i administron Partia Socialiste. Në zgjedhjet e fundit, Partia Socialiste ka marrë mbi 56-57% të votave në secilën prej tyre. Nuk ka asnjë ndikim elektoral. Por ama, bashkimi potenciali i këtyre bashkive rrit efikasitetin e përdorimit të burimeve njerëzore dhe financiare”, tha Mazniku.

“Çështja është që po flasim në mënyrë sistematike është mënyra se si qytetarët e këtij territori mund të marrin shërbime, të realizojnë projekte dhe të kenë mundësi mët të mëdha investimi. Është shumë e thjeshtë, kur kemi nevojë për planifikimin e një rruge, të një kanali kullues e vaditës, një plani për menaxhimin e mbetjeve apo të infrastrukturës arsimore, kemi nevojë për kapacitete, njerëz dhe financa. Këto nuk mund të realizohen në një zonë që ka vetëm 4 mijë banorë. Është e pamundur. Sot është parë se shumica e bashkive, rreth gjysma e tyre, nuk arrijnë të ofrojnë më shumë se gjysmën e funksioneve që ligji ua cakton”, u shpreh ai.

Sipas Maznikut, qëllimi i reformës është që të gjithë qytetarët të marrin shërbime në mënyrë të barabartë dhe funksionale.

“Qëllimi i Partisë Socialiste në mënyrë sistematike ka qenë një, të gjithë qytetarët e Shqipërisë kanë nevojë të marrin shërbime në mënyrë horizontale dhe funksionale, dhe ne duhet t’u japim bashkive mekanizmin se si ta bëjnë këtë punë. Çdo alternativë tjetër do të kërkonte më pak funksione, sepse kur një bashki është e vogël, nuk i kryen dot të gjitha funksionet. Përmes konceptit të konsolidimit kemi rritur funksionalitetin, ndërsa përmes konceptit të qyteteve mbajmë funksionet afër njerëzve, ruajmë përfaqësimin proporcional dhe struktura operacionale madje të shtuara”, tha Mazniku.

Ai shtoi se koncepti i qyteteve do të zbatohet jo vetëm në zonat ku do të ketë konsolidim, por edhe në bashkitë që nuk do të ndryshojnë territor.

“Bashkia e Krujës nuk ndryshon territor, me përjashtim të disa kilometrave katrorë të Rinasit, por do të ketë qytetin e Krujës dhe qytetin e Fushë-Krujës.

Bashkia e Mirditës, pavarësisht debateve, nuk ndryshoi sepse nuk kishte mundësi funksionale për bashkim me një tjetër bashki. Megjithatë, sot Mirdita ka qytetin e Rrëshenit dhe qytetin e Rubikut. Ne nuk mund të fshehim faktet që të dhënat janë këto që janë, por analiza e ndërveprimit tregon se Mirdita është shumë larg nga zonat e tjera për një bashkim të mundshëm, pavarësisht përkatësisë politike”, u shpreh Mazniku.

Ai bëri të ditur se për këtë arsye është propozuar krijimi i qytetit të Rrëshenit dhe qytetit të Rubikut, duke u dhënë atyre më shumë autonomi funksionale, përfaqësim territorial dhe kuota përfaqësimi në këshillin bashkiak.

Propozimi i PS-së për ndarjen e re territoriale parashikon shkrirjen e 15 bashkive. 33 bashki mbeten të pandryshuara, ndërsa 28 të tjera pësojnë ndryshime. Qarqet nuk preken nga reforma. Gjithashtu, krijohet një nivel i ri i qeverisjes vendore, që njeh qytetet me status të veçantë ligjor dhe parashikon që ato të kenë një nënkryetar përgjegjës për koordinimin administrativ.

/r.e/