ATSH/ Në territorin e vendit janë raportuar 34 vatra zjarri gjatë 24 orëve të fundit, nga të cilat 5 vijojnë të jenë aktive, ndërsa 2 të tjera janë nën mbikëqyrje.
Ministria e Mbrojtjes deklaroi sot se për menaxhimin e situatës janë angazhuar gjithsej 481 forca operacionale dhe 44 automjete zjarrfikëse.
Në mbështetje të strukturave vendore janë angazhuar gjithashtu 105 efektivë të Forcave të Armatosura, 2 automjete zjarrfikëse të FA-së, 3 helikopterë dhe 1 avion AIR TRACTOR.
Vatrat aktive janë të përqendruara në qarqet Tiranë dhe Dibër.
Në Malin e Dajtit, pas riaktivizimit të tre vatrave, vijon puna për shuarjen e zjarrit. Në operacion janë angazhuar 25 forca zjarrfikëse dhe të Administratës së Zonave të Mbrojtura, si dhe 20 efektivë të Forcave të Armatosura.
Në qarkun Dibër vijojnë aktive vatrat në Qafë të Helmës, Vajkal, Sllatinë dhe Komsi.
Në Vajkal janë aktualisht të angazhuara 61 forca, përfshirë 30 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa në Sllatinë operojnë 78 forca. Në Komsi janë angazhuar gjithashtu 25 efektivë të FA-së.
Sipas raportimeve nga terreni, nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara në këto vatra.
Ndërkohë, në qarkun Elbasan, vatrat në Malin e Dardhës dhe Malin e Qukësit janë nën mbikëqyrje dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
Gjatë ditës së djeshme, ndërhyrje të konsiderueshme janë kryer edhe në Tërbaç, Vranisht të Himarës, ku u angazhuan forca tokësore, dy helikopterë dhe një avion AIR TRACTOR. Ndërhyrje nga ajri pati edhe në Xhyrë të Librazhdit, ku u angazhua një helikopter i Forcave të Armatosura.
Të dyja këto vatra janë deklaruar të fikura.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
/gj.m/ /a.g/



























