ATSH-DPA/ – Për herë të parë në histori, masa e gjithçkaje të krijuar nga njeriu, përfshirë ndërtesat, rrugët dhe makineritë, pritet të tejkalojë masën e të gjithë jetës që rritet në Tokë, sipas një studimi të botuar në revistën “Nature”.
“Njerëzimi dhe Toka janë në një pikë kthese në vitin 2020, ku masa e të gjitha materialeve të prodhuar nga njerëzit është rritur dhe bërë e barabartë me masën e të gjithë florës dhe faunës, të tilla si pemët, bimët, kafshët, bakteret dhe kërpudhat”, sipas hulumtimit të bërë nga Instituti izraelit i Shkencës “Weizmann”.
Instituti parashikon që kjo masë të jetë sa dyfishi i biomasës deri në vitin 2040.
Në atë vit, xhungla e betonit, çelikut dhe plastikës, e krijuar nga njeriu, parashikohet të peshojë të paktën dy teratonë.
“Sigurisht, është e pamundur të peshosh të gjithë masën në Tokë, që do të thotë se numrat e paraqitur janë vlerësimet më të mira me një devijim prej plus ose minus gjashtë vjet”, tha studiuesi kryesor, Ron Milo, profesor i Shkencës së Bimëve dhe Mjedisit.
“Ne shpresojmë që sapo të kemi të gjitha këto figura disi tronditëse para syve tanë, ne mund të marrim përgjegjësi si specie”, shtoi ai.
Ai theksoi se me përgjegjësi nënkupton të qenët i vetëdijshëm që ne njerëzit jemi lojtarë mbizotërues dhe si të tillë duhet të mendojmë për mënyra që të kujdesemi më mirë për biosferën e planetit tonë.



























