Edhe pse aksidentet nuk kanë të ndalur, duket se të rinjtë nuk do të vënë mend.

Mbrëmjen e djeshme policia ka ndaluar një 29-vjeçar, i cili lëvizte me 196km/ h në rrugen interurbane kryesore Tiranë-Elbasan, pranë Tegut.

Policia ka arrestuar shtetasin me iniciale B. H, 29- vjeç. Por duket se kjo nuk është hera e parë për 29-vjeçarin, pasi rezulton i ndëshkuar më parë për për shpejtesi mbi normat e lejuara, drejtim mjeti nën efektin e alkoolit si dhe me Leje Drejtimi të hequr.

Njoftimi i policisë:

Me shpejtësi vrastare ? dhe me leje drejtimi të hequr, arrestohet 29 vjeçari pranë Tegut.

Vijon puna parandaluese e rrugorëve të kryeqytetit me fokus shkeljet që konsiderohen rrezik potencial për aksidentet rrugore si shpejtësia mbi normat e lejuara, garat e shpejtesisë si dhe drejtimi i mjeteve pas përdorimit të alkoolit.

Në rrugen interurbane kryesore Tiranë-Elbasan, pranë Tegut,  u konstatua nga radari  i vendosur në mbikalimin Mjull Bathore, automjeti me targë AA 606 LU, me shpejtësi 196 km/h, drejtuesi i të cilit shtetasi me iniciale B. H, vjeç 29, rezultoi disa herë i ndëshkuar për shpejtesi mbi normat e lejuara, drejtim mjeti nën efektin e alkoolit si dhe me Leje Drejtimi të hequr, në keto kushte u bë arrestimi i tij  në flagrancë për veprën penale të parashikuar në nenin 291 të Kodit Penal.