Angli Stafuka, 21 vjeç është arrestuar nga Policia e Lezhës pasi disa muaj më parë ka dëmtuar me tritol kolonat e një objekti në ndërtim, në Shëngjin, në pronësi të biznesmenit Liman Gjoka, shkruan neësbomb.al.

Referuar njoftimit të Policisë, bëhet me dije se i riu nga Fushë Kruja, në bashkëpunim me shtetasin Erald Pajtani (i ndaluar gjatë operacionit “Eksplozivi”, në dhjetor 2020), më datë 19.11.2020 në Shëngjin, dyshohet të ketë vendosur në një nga kolonat e një objekti në ndërtim, në pronësi të shtetasit Liman Gjoka një sasi lënde plasëse, nga shpërthimi i së cilës u shkaktuan vetëm dëme materiale.

Si rezultat i provave të grumbulluara, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit Angli Stafuka, 21 vjeç, banues në Fushë Krujë. Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake” dhe “Kanosja”.