Zëvëndësdrejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Rasim Selmani ka dhënë detaje në lidhje me rastin e Dardan Kriqavës, i cili ndodhet në qeli pasi akuzohet për vdekjen e bashkëjetueses së tij, 18-vjeçares Marigona Osmani.

Sipas mediave kosovare, Selmani tha se Krivaqa po mbahet në institucionin e sigurisë së lartë në Gërdovc dhe se është i karantinuar për shtatë ditë dhe ndodhet vetëm në qeli. Ai gjithashtu bëri me dije se deri më tani nuk ka informacion se Dardan Krivaqa të jetë vizituar nga familjarët.

Vrasja e Marigona Osmanit ka tronditur opinion publik në mbarë vendin. 18-vjeçarja nga Ferizaj i Kosovës u dhunua për vdekje nga bashkëjetuesi Dardan Krivaqa.

Referuar raportit paraprak mjekoligjor, dyshohet se 18-vjeçarja është dhunuar për dy ditë rresht, duke pësuar politraumë, thyerje të gjymtyrëve. Ndërsa dyshohet se Dardan Krivaqa së bashku me shokun e tij, Arbër Sejdiun, e lanë të vdekur në derën e spitalit 24 orë pasi e vranë.