ATSH/ Punësimi në 3-mujorin e dytë të këtij viti u rrit në 60.7 % për grupmoshën 15-64 vjeç, nga 59 % që ishte në tremujorin e parë dhe 59.6 % në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të publikuara sot nga INSTAT, rritjen më të lartë të punësimit e ka dhënë grupmosha e të rinjve, ku shkalla e punësimit është rritur në 41.6 %, nga 38.9 % në tremujorin e parë.
Punësimi është rritur edhe në grupmoshën 30-64 vjeç, në 70.2 %, nga 69 % që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm.
INSTAT bën të ditur se, shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës për popullsinë në moshë pune 15-64 vjeç u rrit në 51.7 %, nga 50.5 % që ishte në tremujorin e parë.
Sipas sektorëve, duket se ndikimin kryesor në rritjen e punësimit gjatë tremujorit të dytë e ka dhënë industria, me 10.8 % më shumë krahasuar me një vit më parë. Kontribut pozitiv ka dhënë edhe sektori i shërbimeve, me një rritje vjetore të punësimit prej 3.1 %, ndërsa në rënie të ndjeshme paraqitet bujqësia, ku numri i të punësuarve është tkurrur me 6.6 %. /j.p/

























