Evangjeli Veli është shpallur Kampione e Evropës për peshën deri në 55 kg, në Kampionati Evropian të Peshëngritjes që po zhvillohet në Tiranë.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje në rrjetet sociale nga momenti i shpalljes kampione të Evangjeli Velit.

“Kampionati Evropian i Peshëngritjes në Tiranë. Peshëngritësja shqiptare Evangjeli Veli është shpallur Kampione e Evropës për peshën deri në 55 kg”, shkruan Rama.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi përmes një reagimi në rrjetet sociale ka uruar Evangjeli Velin për këtë fitore ku shprehet se, për herë të parë një vajzë shqiptare ngre lart flamurin kuqezi.

“Urimet më të mira për sportisten tonë Evangjeli Veli, e cila shkruan historinë me fitoren si kampione absolute e Evropës në sportin e peshëngritjes! Për herë të parë një vajzë shqiptare ngre lart flamurin kuqezi me tre medalje ari, si kampionia e parë femër në peshëngritje”, shkruan Kushi.

Gjithashtu dhe kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka uruar peshëngritësen shqiptare, Evangjeli Veli.

“Urime Evangjeli Veli, kampione e Evropës në stilin e shkëputjes. Lajmi i parë i mirë nga Kampionati Evropian i Peshëngritjes, që po zhvillohet te Parku Olimpik i Tiranës. Krenar!”, shprehet Veliaj.

Peshëngritësja shqiptare Evangjeli Veli është shpallur Kampione e Evropës në stilin e shkëputjes për peshën deri në 55 kg në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes që po zhvillohet në Tiranë.

Veli realizoi të tre provat duke ngritur 91, 93 dhe 95 kilogramë, duke i siguruar asaj vendin e parë në podium në këtë stil, ndërsa la pas me një kilogram më pak Konotop të Ukrainës dhe Sterck të Belgjikës.

Evangjeli Veli mori medalje ari në shkëputje dhe dygarësh, kurse në shtytje mori medalje argjendi.