Ekspertët e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) shënjuan sot dy vendvarrime të dyshuara në zonën e Gramshit, në praninë e familjarëve dhe zyrtarëve lokalë.

 

Dane Azis Llalla dhe Cene Cani, dy të rinj të pushkatuar në fund të vitit 1944, ende nuk kanë varr pas 80 vjetësh. Ata akuzoheshin si mbështetës të Ballit Kombëtar, dhe trupat e tyre u varrosën fshehurazi, larg familjeve, në vende të izoluara dhe pa shenja.

 

Dane Llalla u varros fshehurazi në malet e Grekanit, ndërsa Cene Cani la pas një djalë dyvjeçar, i cili sot është 82 vjeç dhe ende përjeton dhimbjen e humbjes së babait.

 

Këto vendvarrime të dyshuara, të mbuluara nga pyjet dhe koha, mbajnë brenda kujtimin e atyre që u lanë në harresë, të ndëshkuar në mënyrë të pamëshirshme.

 

“Puna e AIDSSH për të zbuluar këto vende të pushimit të fundit është më shumë se një përpjekje për të kujtuar jetët e humbura. Është një thirrje për drejtësi, një mundësi për të çliruar kujtimet dhe për të dhënë mundësinë që të vdekurit të gjejnë paqe”, thuhet në njoftimin për shtyp të AIDSSH-së.

 

Në regjimin komunist, kufomat shpesh fshiheshin dhe nuk u dorëzoheshin familjarëve, për të fshehur krimet dhe për të kontrolluar kujtesën e shoqërisë.

 

Ky akt konsiderohet një hap për rikuperimin e mbetjeve mortore dhe një shenjë nderimi për ata që nuk patën mundësinë të kenë një varr dhe të kujtohen si viktima të një historie të errët.atsh