Rrëzimi i një avioni në Pakistan të premten e kaluar i mori jetën 97 personave, por me dhjetëra prej tyre ende nuk i janë dorëzuar familjarëve pasi trupat e tyre janë djegur në gradën më të lartë.
Me dhjetëra viktima të aksidentit ajror të javës së kaluar në Pakistan kanë mbetur pa u identifikuar.
Avioni i linjës shtetërore u rrëzua të premten në mesditë në qytetin e Karaçit pasi më herët kishte njoftuar kullën e vrojtimit për avari teknike, që pak momente më vonë do çaktivizonin motorët e mjetit.
Për pasojë 97 persona humbën jetën dhe vetëm 2 të tjerë i mbijetuan përplasjes me tokën.
Për shumë prej viktimave u mbajtën funeralet në fundjavë, ndërsa disa trupa më të shpërbërë po iu nënshtrohen analizave të thella gjenetike në morg pasi familjarët nuk kanë mundur t’i njohin.
“Të afërmit i kanë identifikuar nga rrobat dhe sendet që mbanin, si orët e dorës, këpucët apo veshjet. Morgun tonë e vizitojnë edhe kriminalistë dhe ekipe të ndryshme stomatologësh nga vendi që të ndihmojnë me procesin e identifikimit.”
Aeroplani tip “Airbus 320” kishte në bord 91 pasagjerë dhe 8 pjesëtarë të ekuipazhit.
Mjeti fluturues raportohet se nxori re tymi që kur ishte në ajër ndërsa me rrëzimin tokë, shpërtheu në flakë duke i karbonizuar trupat e viktimave, me gjithë ndërhyrjen e forcave të shpëtimit.
“Personat po i identifikojmë nga dhëmbët. Dhëmbët janë eshtra më e fortë e trupit e cila mund të durojë temperatura të larta edhe në aksidente të tilla,” shprehet një nga specialistët e Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive në Pakistan.
Qeveria pakistaneze lejoi fluturimet me avion vetëm në mesin e këtij muaji, pasi i kishte pezulluar ato që prej marsit për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Një ekip ekspertësh nga prodhuesi i avionit “Airbus” po asiston autoritetet me hetimin e aksidentit fatal.
Aeroplani i ishte dorëzuar flotës pakistaneze në vitin 2014 dhe kishte kryer mbi 47 mijë orë fluturim.
/Ora News.tv/