TIRANË, 19 qershor/ ATSH-A. Fortuzi/- Policia e Shtetit në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtarë të Mbrojtjes së Territorit kanë vijuar në Durrës aksionin për shembjen e ndërtimeve pa leje, ndërsa janë proceduar tre shtetas .

Policia e Durrësit njofton se aksioni ka vijuar në fshatin “Rinia”, dhe tre shtetasve të ndaluar iu vendos masa administrative gjobë 20 milionë lekë të vjetra.

Në vijim të kontrolleve, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me IKMT-në, në fshatin Rinia, kanë konstatuar një ndërtim të paligjshëm (rikonstruksion të lëvizshëm), në një sipërfaqe toke, pronë publike plazh. Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës u proceduan në gjendje të lirë shtetasit A. Sh., 28 vjeç, A. M., 41 vjeç dhe A. M., 31 vjeç.

Gjithashtu, në bashkëpunim me IKMT-në, u shemb objekti i ndërtuar pa leje dhe u vendos masë administrative 20 milionë lekë të vjetra. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm”.

ATSH