Në natën e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Skampa 2025 Extension”, publiku elbasanas u njoh me artin bashkëkohor lituanez përmes premierës së trupës Artūras Areima Theater (AAT) me shfaqjen “Për një botë më të mirë”.
Drama zhvillohet në një realitet distopik të përfshirë nga lufta, ku mbijetesa shndërrohet në një betejë psikologjike. Spektatorët ftohen të reflektojnë mbi mënyrën se si shoqëria justifikon konfliktet dhe raportin e njeriut me natyrën – jo si pronë për t’u sunduar, por si një hapësirë e përbashkët që duhet mbrojtur.
Një mbrëmje më parë, në Teatrin “Metropol”, trupa greke Dot Ensemble Theatre nga Selaniku prezantoi shfaqjen “Petrikora”, të frymëzuar nga balada ballkanike “Ura e Artës”. Një interpretim që ngre pyetje mbi marrëdhënien midis mitit dhe realitetit të sotëm.
Përveç skenës teatrore, programi i festivalit është pasuruar edhe me artin vizual. Në ambientet e Bibliotekës “Qemal Baholli”, është çelur ekspozita e studiuesit Fetah Biza, “Kujtesa e qytetit përmes artit dramatik”, një homazh për historinë teatrore të Elbasanit dhe lidhjen e saj me përvojat artistike ndër vite.
Ky është edicioni i 27-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Skampa”, që nga viti në vit sjell trupa vendase dhe të huaja, duke e kthyer Elbasanin në një qendër të gjallë të dialogut kulturor.
Mbështetja e vazhdueshme e Bashkisë Elbasan tregon rëndësinë që i jepet artit dhe jetës kulturore në qytet, duke e bërë festivalin një nga ngjarjet më të spikatura të kalendarit artistik shqiptar.
Edlira Xherri




























