SIDNEJ, 9 qershor /ATSH-ANSA/ – Shoqata e Mjekëve Patologë në Australi kërkon një vend permanent në tavolinën e ekspertëve që udhëheqin përgjigjen kombëtare ndaj Covid-19, në përgatitje për një valë të dytë të mundshme ose të një pandemie të re.
”Australian College of General Practitioners”, në një raport para Senatit për përgjigjen e qeverisë ndaj krizës Covid-19, paralajmëroi se vendi duhet të mësojë nga gabimet e bëra në fillim, si një përgjigje ndaj sëmundjeve në të ardhmen.
Raporti rendit një numër boshllëqesh në mbrojtjet nga pandemia, përfshirë një furnizim jo të besueshëm të mbrojtjes individuale, informacione kontradiktore rreth shëndetit publik dhe përhapjes së rrezikshme të teorive konspirative.
Presidenti i organizatës, Harry Nespolon, tregon se reagimi i fortë i qeverisë kurseu Australinë nga më e keqja e pandemisë, por paralajmëron se “nuk jemi akoma jashtë rrezikut” dhe se ”kombi duhet të bëhet gati për pandeminë tjetër’’.
“Do të ketë një SARS-CoV-3. Ne duhet të jemi të gatshëm”, paralajmëron ai.
”Mjekët gjithashtu kërkojnë një metodë të koordinuar për të luftuar informacionet e rremë, të përhapur nga disa sharlatanë, të cilët promovojnë teori konspirative për vaksinat”, shtoi ai.
Australia ka regjistruar 102 vdekje deri tani nga Covid-19.
ATSH