Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për qarkun e Elbasanit, Taulant Balla zhvilloi një takim vlerësimi dhe mirënjohjeje me mjekët pensionistë të Elbasanit. Në bashkëbisedim me mjekët Balla theksoi ndryshimet e mëdha që janë bërë në nivelin e pagave të mjekëve krahasuar me vitin 2013, por edhe investimet e jashtëzakonshme të kryera në spitale e qendra shëndetësore.
“Jam shumë krenar sot të them që paga e një mjeku sot është mbi 1 mijë euro dhe jemi goxha mirë në krahasim ku ishim. Askush nuk mund ta besonte këtë në vitin 2013. Në vitin 2011 paga shkonte 50 mijë lekë të reja”, u shpreh Balla.
Balla u shpreh i emocionuar teksa dëgjoi kërkesën e këtyre mjekëve të nderuar për të vijuar të kontribuojnë për shoqërinë.
“Për ne është fat që kemi një ekip mjekësh që vetëm mosha i ka nxjerrë në pension, por jo aftësia. Jam i emocionuar nga kjo kërkesë e juaja për të vijuar të kontribuoni në dobi të shëndetit. Ne duhet ta rimendojmë marrëdhënien me mjekët pas plotësimit të moshës së pensionit”, tha Balla.
Balla gjithashtu vlerësoi kontributin e mjekëve, sot më shumë se kurrë, kur sakrifica e tyre në dobi të qytetarëve, të shpëtimit të jetëve njerëzore është e jashtëzakonshme.