Korridori 8 është më i rëndësishmi për rajonin e Ballkanit dhe ka si qëllim ndërlidhjen midis Italisë, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Kështu deklaroi sot zëvendëskryeministrja, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe njëherësh drejtuesja politike e Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Belinda Balluku në aktivitetin “Infrastruktura, arritjet dhe Sfidat për Shqipërinë 2030″, ku është i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.
Balluku theksoi se “ky korridor është i rëndësishëm për infrastrukturën hekurudhore, energjetike, të linjave të transmetimit, por mbi të gjitha më i rëndësishmi, ai i sigurisë i përdorur nga forcat e aleancës euroatlantike, të cilat përbëjnë tashmë një komponent shumë të rëndësishëm dhe është zhdukur e gjithë rëndësia e këtij korridori të përdorur nga forcat e NATO-s gjatë 2022 në kohën kur agresioni rus nisi ndaj Ukrainës”.
“Ky korridor nuk ka vetëm këtë rëndësinë e infrastrukturës rrugore dhe të gjithë mbështetjen ekonomike që do t’i japë zonave që përshkon apo lidhjes rajonale, por krijon edhe një ndërlidhje me një nga planet më agresive dhe ambicioze që Shqipëria ka për ndërtimin e një baze militare në zonën e Porto Romanos në të njëjtat ambiente dhe zonë me portin komercial të Porto Romanos, ndërtimin e një baze të NATO-s”, theksoi Balluku.
Zv/kryeministrja Balluku u shpreh se “Lekaj –Elbasan është pjesa e parë e këtij korridori, e cila ndërtohet në këto momente e ndarë në dy faza”.
“Jemi duke ndërtuar fazën e parë prej 19 km për shkak të gjeologjisë shumë të mirë duke qenë se e gjithë kjo rrugë shtrihet në luginën e Shkumbinit dhe gjeologjia na ka favorizuar në këtë rast. Të gjitha kantieret që përshkojnë këtë segement janë në funksion të plotë, ecet me qëndrueshmëri pa problematika dhe nuk kemi probleme të parashikueshme”, shtoi zv.kryeministrja.
Këto kantiere, vijoi Balluku, parashikohet të dorëzohen në pranverën e 2026 duke krijuar bllokun e parë të 19 km, të cilat do të lidhin Elbasanin me me nyjen e Rrogozhinës.
“Parametrat këtu janë të një autostrade të kategorisë A me 130 km në orë dhe nga ana tjetër duhet thënë që do të lidhet me bajpasin e Elbasanit, një nga veprat infrastrukturore më të rëndësishme jo vetëm për infrastrukturën e përgjithshme, për inventarin e ARRSH-së, por edhe për zhvillimin e një zone shumë të rëndësishme si Elbasani”, tha Balluku.
Balluku bëri të ditur se “këtë verë përfundon dhe një nga kalvaret më të gjata të infrastrukturës Qukës-Qafë Plloçë, e cila është një rrugë e ndërtuar në lartësi të Gurrës dhe Oparit me problematika të mëdha në ndërtim dhe në mënyrën e projektimit të asaj kohe”.
“Por që brenda verës së këtij viti do të jetë e dorëzuar dhe ata që aksesojnë drejt Korçës do të kenë mundësi që ta aksesojnë direkt duke lënë mënjanë pra të gjitha kthesat që çojnë në Korçë përmes Qafë Plloçës duke dhënë kështu edhe një ndarje të trafikut, të rënduar shpeshherë në drejtim të daljes së pikës kufitare për në RMV dhe duke e çuar trafikun direkt për në Korçë”, tha Balluku.
Duke folur për bajpasin e Elbasanit, Balluku u shpreh se punimet po vijojnë dhe pritet të kushtojë 250 milionë euro.
“Bajpasi i Elbasanit ka proces të detajuar. Parashikohet të ketë kosto 250 milionë euro, është nyja më e rëndësishme e Korridorit VIII. Rruga Kardhiq-Delvinë, 44 kilometra. Është vazhduar edhe me rrugën që çon deri në Delvinë. Akse të tjera të dorëzuara, aksi Orikum-Dukat, në funksion që nga vera e kaluar. Tuneli i Llogorasë, tashmë totalisht i përfunduar me të gjithë komponentët e tij, 7 mijë automjete në ditë dhe në fundjavë, 14 automjete në ditë. Kemi nisur nga puna, ta zgjidhim duke krijuar një hyrje të re për Sarandën përmes bajpasit, jemi në fazë të miratimit të zbatimit të projektit. Bypassi i Sarandës do jetë 3.1 kilometra i gjatë”, theksoi Balluku.
/k.s/j.p/