TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Tropojës, Rexh Byberi, inspektoi sot përfundimin e  pajisjes logjistike dhe dixhitalizimit të Zyrave të Integrimit Europian dhe Koordinimit të Ndihmës së Huaj pranë kësaj bashkie.

“Ky nuk është vetëm një detyrim formal që buron nga vendimi i Këshillit të Ministrave, por së pari një domosdoshmëri sistematike sidomos tani që vendi ynë ka marrë dritën jeshile të hapjes së negociatave me BE-në”, – tha Byberi.

Ai falënderoi stafin e Zyrës së Integrimit në BE pranë bashkisë Tropojë, veçanërisht Bekim Murati, Drejtor i Agjencisë për Mbështetjen e qeverisjes vendore si dhe  Jolanda Trebicka, lidere e Programit të BE-së “Bashkitë për në Europe” për insistimin dhe asistencën e tyre në realizimin e këtij projekti.

“Si kryetar i bashkisë jo vetëm do konsideroj dhe do bashkëpunoj ngushte me këtë zyrë, por siç e theksoi Ambasadori Soreca do ta trajtojmë si ambasadore të BE-së në bashkinë tonë”, – tha Byberi.