ATSH/Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në raportimin e situatës epidemiologjike në vend ka ripërsëritur thirrjen për respektim të masave dhe protokollit të sigurisë nga qytetarët dhe bizneset pasi sjellja individuale do të përcaktojë edhe ecurinë e kësaj beteje me COVID-19.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet gjithë qytetarëve dhe bizneseve të jenë të kujdesshëm dhe të jenë rigoroz në zbatimin e protokolleve të sigurisë. Kjo është e vetmja mënyrë që të kufizojmë përhapjen e infeksionit. Sjellja individuale është përcaktuese në këtë betejë me COVID-19.
Është shumë e rëndësishme që jo vetëm personat e konfirmuar pozitivë por edhe ata që janë të dyshuar apo janë në që janë në pritje të përgjigjes së testit, duhet të qëndrojnë të izoluar në shtëpi, pasi janë burim për përhapjen e infeksionit”, apeloi Mirela Cami, drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor.
Sipas të dhënave të bëra publike prej Camit, aktualisht në shërbimin infektiv po marrin shërbim 55 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 2 janë të intubuar. Në vendin tonë janë aktualisht 663 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë.
“Nisur nga fakti se ditet e fundit po vihet re shtim i rasteve në aktivitete biznesi, ndërmarrje me shumë punëtorë, institucione publike dhe private, i bëjmë apel të gjithëve: Ju lutemi respektoni rregullat. E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri tjetri, duke ruajtur higjienën personale dhe duke larë duart vazhdimisht, bizneset dhe institucionet duke respektuar protokollet e përcaktuara”, tha Cami.
Cami tha ndër të tjera se maskat janë një domosdoshmëri për t’u mbajtur kudo ku ambienti është i mbyllur, në spitale, qendra shëndetësore, dyqane, supermarkete, parukeri, taksi, ambiente pune, zyra shërbimesh.
“Qytetarët duhet të shmangin grumbullimet masive pasi janë burim infeksioni, të evitojnë ceremonitë mortore dhe vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye.Kujtojmë edhe një herë se çdo rast i identifikuar pozitiv, duhet të vetizolohet dhe se shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve.
Familjarët e pacientëve në spitale të shmangin sa më shumë vizitat, të moshuarit kur është e mundur të shmangin kontaktet në qendrat shëndetësore, por të kontaktojnë me mjekun e familjes për barnat me rimbursim.
Kontaktoni me mjekun e familjes ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127 nëse dyshoni se ju apo një i afërmi juaj është i prekur nga COVID-19”, bëri thirrje ekspertja e shëndetësisë. z.tosku//a.a/