ATSH/ Leku ka shfaqur tendencë sezonale mbiçmimi kundrejt euros edhe në pjesën e parë të vitit.

Në analizën e ecurisë së kursit të këmbimit gjatë muajve të parë të 2021, Banka e Shqipërisë ka arritur në përfundimin se mbiçmimi i lekut është në përputhje me sjelljen sezonale të viteve të fundit.

Që prej vitit 2015, muajt mars dhe prill karakterizohen nga një mbiçmim mujor i lekut ndaj euros, prej mesatarisht 0.2% dhe 0.4%.

Përjashtim nga kjo sjellje bëri viti 2020, kur tregu valutor pësoi një goditje afatshkurtër nga pasiguria, me përhapjen e pandemisë në vend.

BSH ka argumentuar se rritja e turizmit edhe jashtë sezonit të plazhit e ka shtrirë më shumë në kohë forcimin e lekut ndaj euros.

Kursi i euros rezultoi mesatarisht 123.6 lekë në dy muajt e parë të vitit, pranë nivelit mesatar të tremujorit të katërt të vitit që kaloi. Ndërkohë, gjatë muajve mars dhe prill, ai zbriti përkatësisht në nivelet 123.3 lekë dhe 123.1 lekë. Në fakt, të dhënat tregojnë se tendenca mbiçmuese e lekut ka vijuar edhe gjatë muajit maj. /a.a/