ATSH/- Shpronësimi, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i projektit “Studim projektim By-Pass Tepelenë, loti 1”, i hap rrugë zbatimit të këtij investimi të rëndësishëm në infrastrukturën rrugore të vendit.

Sipas vendimit që miratoi së fundi qeveria, shpronësimi të bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen me vlerë të përgjithshme prej 23 946 990.99 lekësh, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë jo banimi”.

Vlera e përgjithshme e shpronësimit, përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2020, për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 lekë, përballohen nga kjo Ministri.

Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është 3 muaj pas datës së hyrjes në fuqi të tij.

Vendimi parashikon se Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tepelenë, jo më vonë se 30 ditë nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Ndërkohë Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tepelenë, pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tepelenë për zbatimin e këtij vendimi. e.xh//a.a/