TIRANË, 12 qershor /ATSH/ Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, gjatë vizitës në Bujanovc u takua edhe me krerët e Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Në fokus të takimit ishin diskutime të lidhura me gjendjen e shqiptarëve në Luginë dhe me shqyrtimin e mundësive të mbështetjes së tyre.

Kryediplomati Cakaj, në një reagim bëri me dije se po punohet bashkërisht për të përpiluar një plan të përbashkët veprimi, për të ndihmuar disa sektorë kyç për Luginën e Preshevës.

“Këtu më duhet të falënderoj gjithsesi Kryetarin e Këshillit, Ragmi Mustafa, për punën e pakursyer e bashkëpunimin e vazhdueshëm në këtë drejtim”- u shpreh Cakaj.

Për më tepër, ministri në detyrë Cakaj theksoi rëndësinë e hapjes së Konsullatës së Përgjithshme në Luginën e Preshevës, për të mundësuar një lidhje më të fortë mes Shqipërisë e shqiptarëve dhe të marrjes së masave shtesë, për të forcuar marrëdhënien me diasporën e Luginës.

Gjatë takimit, ministrit Cakaj iu dhurua nga Këshilli Kombëtar Shqiptar një certifikatë në shenjë mirënjohje për mbështetjen dhe qasjen proaktive ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Mbetem pafundësisht falënderues për mirënjohjen që na ndau Këshilli për punën që kemi bërë për Luginën”, përfundoi Cakaj.

ATSH