TIRANË, 9 qershor/ATSH-Maela Marini/ “Ne nuk mundet më të bëjmë dialog dhe marrëveshje në ambasadë, kjo duhet të jetë e fundit dhe sa më takon mua personalisht kjo është hera e fundit”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, duke iu referuar takimeve të politikanëve shqiptarë në selinë e ambasadës së SHBA-së për arritjen e marrëveshjes së Reformës Zgjedhore.
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian, Kryeministri vuri theksin se paaftësia kronike e politikës shqiptare për të dialoguar, mirëkuptuar e gjetur zgjidhje.
“Besoj se në fund të ditës ne mund të bëjmë një rrotullim 360 gradë të vështrimit dhe mund të gjejmë çështje, sfida e problemeve plot, arsye për të thënë e bardhë, e zezë e kështu apo ashtu, por askush nga ne nuk i shmanget dot një njolle të zezë që ne e kemi ende sot e gjithës ditën. Për fat të keq krahasuar me të gjitha vendet që sot janë anëtare të BE-së ne realisht jemi pa shok dhe të pashoq në një paaftësi kronike për të dialoguar mes vedi, për t’u mirëkuptuar e gjetur zgjidhje mes vedi edhe për çështje që rëndom janë çështje të krijuara nga sebepe të natyrës politike që mund të jenë legjitime ose, sebepe të mëdha apo të vogla, por janë gjithmonë sebepe”, tha Rama.
Rama kujtoi se për fat të mirë në Shqipëri nuk kemi asnjë forcë politike apo shoqërore relevante që do të predikojë një rrugë tjetër përveç anëtarësimit në BE.
“Nuk kemi asnjë forcë politike apo shoqërore që të predikojë aleanca alternative me aleancën strategjike me SHBA dhe BE; që të predikojë teza dhe qasje që shkojnë në konflikt me të gjithë”, tha Rama.
Por kryeministri tha se “ky qëllim i madh i ndarë bashkërisht e bën të duket akoma më problematik faktin se jemi ende të paaftë të komunikojmë shqip-shqip pa përkthyes me njëri-tjetrin”.
“Rasti i fundit është flagrant. Në jemi mbledhur në një ambasadë, të gjithë përfaqësuesit e forcave më të mëdha politike të vendit. Jemi mbyllur atje me ditë e netë për t’u marrë vesh më në fund që nuk do të bëjmë atë që donim të bënim, por do t’i lëmë gjërat siç janë. Kur sheh këtë përfundim çdonjëri mendon natyrshëm se pse duhet të ishte nevoja që për këtë ne të kërkonim strehë në një ambasadë shumë mike dhe të rëndësishme në këtë vend”, tha Rama.
Ai tha se nuk e kupton se pse “ndërveprimi dhe komunikimi mes nesh të zhvillohej në disa gjuhë, tekstet të kalonin në disa përkthime”.
“Mua më vjen keq por personalisht mendoj se kjo është hera e fundit dhe miqtë e partnerët tanë të paçmueshëm të ndihen në këtë pozitë”, tha Rama.
Shqipëria dhe populli shqiptar, vijoi Rama, “nuk ka pse të na shohin në dyert e ambasadave për arsye se forcat politike nuk arrijnë të ndajnë çfarë është e ndarë dhe çfarë është e përbashkët”.
“Nuk është sekret që me Presidentin e Republikës kemi çështje të hapura dhe patjetër që mund të takohemi në Presidencë, te Kryetari i Kuvendit, te Kryemyftiu i Tiranës, te Baba Mondi, tek kreu i komunitetit katolik. Mund të shkojmë edhe te protestantët për të gjetur një fushë ku nga pikëpamja religjioze nuk ka anësi, por ne nuk mundet më të bëjmë dialog dhe marrëveshje në ambasadë, kjo duhet të jetë e fundit dhe sa më takon mua personalisht kjo është e fundit”, tha Rama.
Ai u shpreh se “duhet ta dimë që çështje që ne na takojnë t’i zgjidhim vetë nëse vërtet jemi seriozë dhe të sinqertë dhe e duam Shqipërinë anëtare të BE-së, nuk mund të bëjmë më sikur s’jemi të njëjtët për t’i zgjidhur çështjet bashkërisht”.
ATSH