TIRANË, 16 qershor /ATSH – I. Vata/- Rreth 238 848 familjeve janë mbështetur me ndihma ushqimore, ndërsa 62 609 përfituan ndihma mjekësore, gjatë periudhës së pandemisë, deklaroi sot Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako.

Çako raportoi sot në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në lidhje me angazhimin e emergjencave civile në ndihmë të familjeve në nevojë gjate periudhës COVID-19 dhe masat e marra nga kjo strukture për t’ju përgjigjur detyrimeve të saj lidhur kjo edhe me situatën e tërmetit.

“Prioritetet e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile kanë konsistuar në ndjekjen në mënyrë të vazhdueshme të situatës se krijuar nga COVID-19, në bashkëpunim sidomos me Ministrinë e Shëndetësisë, ku Drejtori i Përgjithshëm i AKMC është dhe pjesë e Task Forcë , monitorimin e territoreve sidomos atyre që vuanin nga pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit”, nënvizoi Çako.

Në lidhje me masat e marra, Çako theksoi se “në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave “Për marrjen e masave për ofrimin e asistencës në banesa ndaj shtetasve në kushtet e pandemisë” Komisioni Qendror për ofrimin e asistencës përcaktoi masat për produktet ushqimore dhe joushqimore minimale dhe llojin e produkteve të asistencës ndaj shtresave në nevojë, asistencë kjo, e cila nuk u ofrua vetëm për sa i përket ndihmave ushqimore. U përcaktuan dhe format e dhënies së ndihmave dhe ofrimit të asistencës për shtresat në nevojë, pagesat mujore, ofrimi i barnave për gjithë kategoritë e pensionistëve apo të sëmurëve, kategorizimi i përfituesve” .

Sa i përket shpërndarjes së ndihmave, Çako bëri me dije përpara komisionit se “në total ndihmat e shpërndara nga Ministria e Mbrojtjes, por edhe nga të gjitha njësitë e tjera të pushtetit vendor të angazhuara, kapi një vlerë prej, 238848 familje të cilat përfituan ndihma ushqimore dhe 62609 përfituan ndihma mjekësore në familje”.

ATSH