ATSH/ Të dhënat e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD) të publikuara në raportin vjetor 2020, tregojnë se në total vlera e depozitave të sigurueshme në banka arriti në 1.22 trilionë lekë, me një rritje prej 7.4%, në krahasim me vitin e mëparshëm.
Sipas ASD-së, vlera e depozitave të sigurueshme në banka që përfitojnë nga skema e sigurimit të depozitave arriti 1,226 miliard lekë, çka përfaqëson 95.3% të totalit të depozitave.
Depozitat e sigurueshme të individëve zënë peshën më të madhe të depozitave të sigurueshme, konkretisht rreth 84 % të tyre, ndërkohë që 16 % janë depozita të sigurueshme të tregtarëve dhe shoqërive tregtare. Depozitat e sigurueshme në lekë, në fund të dhjetorit 2020, zënë 49.4% të totalit të depozitave të sigurueshme, ndjekur nga depozitat në euro me 43.8%, dhe depozitat në USD 4.9%, duke ruajtur raporte të përafërta me një vit më parë.
Depozitat e sigurueshme përfshijnë depozitat me afat, llogaritë rrjedhëse, llogaritë e kursimit, llogaritë e kartave, llogaritë e përbashkëta dhe produkte të tjera të ngjashme. j.p/