TIRANË, 15 qershor/ATSH/ Deputetja e Partisë Socialiste, anëtare e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Antoneta Dhima deklaron se nisma nga ana e qeverisë shqiptare për heqjen e tatim-fitimit dhe TVSH-së për biznesin e vogël me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë deri në vitin 2029, për sipërmarrjen private është një vendim shumë i rëndësishëm, pasi do t’i japë frymëmarrje zhvillimit të ekonomisë.
Në një prononcim për ATSH-në, deputetja socialiste thotë se sipërmarrja private ka mirëpritur këtë nismë të qeverisë, e cila ashtu si dy paketat e menjëhershme në kushtet e COVID-19, do të jetë në mbështetje të biznesit.
Sipas saj, heqja e tatimit mbi fitimin dhe pagesës së TVSH-së deri në vitin 2029, për biznesin me qarkullim deri 14 milionë lekë do ta bëjë më të qëndrueshme zhvillimin e këtij biznesi.
“Normalisht kjo iniciativë do ketë efekte pozitive te biznesi, sepse një sipërmarrje deri në 14 milionë lekë, nëse lirohet nga TVSH-ja dhe tatim fitimi do të ketë një përfitim të drejtpërdrejtë dhe që krijon mundësi ekonomike që kjo kategroi e sipërmarrjes shqiptare të kthehet në një nga sektorët më të qëndrueshëm në ekonominë reale”, deklaroi Dhima për ATSH.
Mendohet se përfitues të këtyre përjashtimeve do të jenë mbi 32 mijë biznese të vogla.
Sipas saj heqja e tatim-fitimit dhe TVSH-së për biznesin e vogël me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë ka efekte negative në buxhetin e shtetit me minus 4 miliardë lekë nga TVSH dhe minus 600 milionë lekë nga tatim fitimi në një vit fiskal.
ATSH