PRISHTINE, 15 qershor /ATSH/ -Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mëngjesin e së hënës ka pritur për herë të parë në takim kryeministrin Avdullah Hoti.
Pas rreth një ore takim, ata theksuan gatishmërinë për rifillimin e dialogut me Serbinë.
Thaçi tha për gazetarët se nuk do të jenë në garë me kryeministrin për udhëheqjen e dialogut, por do të plotësojnë njëri-tjetrin.
“Ne kemi Kushtetutën ku janë të përcaktuara përgjegjësitë institucionale të bartësve të institucioneve. Me rëndësi është që ekziston vullnet shumë i mirë për koordinim. Ne patëm takim shumë korrekt. Natyrisht do të jemi krah për krah me njëri-tjetrin dhe do të punojmë me gjithë lidershipin e Kosovës. Në fund të fundit gjithçka do të vendoset në Kuvendin e Kosovës”, tha ai pas takimit me Hotin.
Koordinim kërkoi edhe kryeministri Hoti, por ai theksoi se aktgjykimi i vitit të kaluar i Gjykatës Kushtetuese e qartëson se ekzekutivi do të udhëheq dialogun me Serbinë.
“Kushtetuta është shumë e qartë në këtë drejtim. Kompetencat e presidentit, të mijat dhe institucioneve tjera janë më se të qarta. Edhe aktgjykimi Gjykatës Kushtetuese të vitit të kaluara është mjaft i qartë në këtë drejtim. Ne kemi role të ndara, por është e rëndësishme që në këtë proces të jemi të koordinuar dhe së bashku”, u shpreh Hoti.
E kjo javë nga ana e të parit të shtetit u konsiderua e rëndësishme për përcaktimin e agjendës për Kosovën.
“Ne jemi në një javë konkrete të rëndësishme për vendin dhe Ballkanin perëndimor. Pritet hapja e proceseve konkrete edhe nga ShBA-të, ambasadori Grenell dhe gjithashtu edhe paralajmërimi i vizitës së zotit Lajçak në Kosovë. Duhet të punojmë ngushtë me njëri-tjetrin si president dhe kryeministër, por edhe me Kuvendin dhe gjitha partitë politike pozitë-opozitë që të jemi sa më të përgatitur. Të kemi të qartë çfarë duhet të arrijmë, e ne duhet të arrijmë njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Këtë drejtim gjithçka është e qartë do të respektohet Kushtetuta e Kosovës. Uroj që ky proces të jetë shumë dinamik, energjik, i shpejtë por edhe i saktë e suksesshëm prej ambasadorit Grenell që besoj që do lëvizin gjërat në drejtimin e duhur. Kosova nuk ka kohë për të humbur në diskutime të thata”, tha ai.
ATSH