Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur të mos shtojë masa të reja kundër pandemisë, ndërsa vendi po përballet me një rritje tepër të madhe të rasteve të reja me koronavirus. Zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli tha se masat që janë aktualisht do të qëndrojnë në fuqi, por kërkoi që institucionet të bëjnë më shumë për zbatimin e këtyre masave, që nga vendosja e maskave deri te distanca.
“Nëse këto masa do të jenë të qëndrueshme, nuk do të kemi masa të reja”, tha Rakacolli.
Zv.ministrja Rakacolli tha se në fund të kësaj jave pritet të merret vendimi për sezonin e provimeve në universitete.
“Fatmirësisht deri tani situata vazhdon të mbetet e kontrolluar, dhe për këtë arsye u vendos që të vazhdojë ndërprerja e fluturimeve, dhe në lidhje me kërkesën e universiteteve po punojmë së bashku me MASH për të mundësuar realizimin dhe do të kemi një vendim deri në fund të kësaj jave. Jemi në një moment delikat, mos të harrojmë që jemi në stinën e dimrit dhe njerëzit janë në ambiente të mbyllura. Për këtë arsye kërkohet një angazhim më i madh i të gjitha strukturave për të zbatuar me shumë rrigorozitet për mbajtjen e maskave në të gjitha ambientet e rekomanduara, respektimin në detaj të distancës. Nëse këto do të jenë të qëndrueshme, nuk do të merren masa të tjera”, u shpreh Rakacolli.