Draftligji i ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, i cili ka dalë për konsultim publik prej pak ditësh, ndër të tjera për herë të parë fut edhe konceptin e zbritjeve nga baza tatimore në formën e kompensimit prej 48 mijë lekësh për çdo fëmijë nën 18 vjeç, në ngarkim të tatimpaguesit.

Neni 22 i draftligjit parashikon edhe raste të tjera të zbritjes nga baza tatimore.

“Tatimpaguesi i të ardhurave personale me të ardhura nga punësimi dhe biznesi, mund të zbresë nga baza tatimore për periudhën tatimore: një shumë prej 480.000 lekë nëse të ardhurat vjetore janë deri 480.000 lekë; një shumë prej 360.000 lekë nëse të ardhurat vjetore janë mbi 480.000 lekë; një shumë kompensimi për çdo fëmijë në ngarkim të tij më pak se 18 vjeç dhe që jeton së bashku me tatimpaguesin në një familje të përbashkët prej 48,000 lekë”, thuhet në pikën 1 të nenit.

Pika 2 e nenit parashikon që tatimpaguesi i tatimit mbi të ardhurat personale me të ardhura vjetore të tatueshme nga punësimi, të ardhura vjetore të tatueshme nga biznesi dhe të ardhura vjetore të tatueshme nga investimi, më pak se 2.000.000 lekë, mund të zbresë përveç shumave individuale të parashikuara në nenin 1 edhe shpenzimet korente për: arsimin e fëmijëve në ngarkim të tij, në vlerën maksimale 100,000 lekë; medikamentet për fëmijët e tij ose në ngarkim të tij dhe personave që ka nën kujdestarinë e vet, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, sipas përcaktimeve në Vendimin e Këshillit të Ministrave.

Në nenin 23 të draftligjit përcaktohet edhe si do të kryhet kërkesa për zbritje.

“Kompensimi për fëmijën në ngarkim dhe shpenzimet për arsim dhe medikamente mund të kërkohen nga anëtari i familjes me të ardhura më të larta vjetore të tatueshme. Tatimpaguesi i të ardhurave personale me të ardhura nga punësimi, nëpërmjet Deklaratës, mund të kërkojë zbritjet personale nga agjenti i tij tatimor i listëpagesës në bazë mujore, në vlerën prej 1/12 e shumës së përmendur në nenin 22, pika 1. Zbritja personale mund të pretendohet vetëm një herë në një vit tatimor. Tatimpaguesi i cili kërkon zbritjen personale apo pjesë të saj, nuk mund ta kërkojë më shumë se një herë në një muaj. Zbritjet e tjera përveç zbritjeve personale në përputhje me nenin 22, pika 1 mund të kërkohen vetëm nëpërmjet deklaratës vjetore të të ardhurave”, përcakton draftligji.

Draftligji i ri “Për tatimin mbi të ardhurat” pritet të kalojë brenda korrikut për miratim në qeveri për të shkuar pastaj për diskutim dhe miratim në Parlament. Zbatimi i tij pritet të nisë më 1 janar 2023. /j.p/

Atsh