TIRANË, 7 korrik/ATSH/ – Policia e Durrësit finalizoi operacionin policor të koduar “Antikat”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të veprave të artit.

Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Durrës dhe u finalizua pas tri javë hetimesh.

Janë sekuestruar dy vepra që i përkasin periudhës së antikitetit, pjesë e trashëgimisë kulturore. Veprat do shiteshin kundrejt shumës 18 deri në 25 mijë euro secila.

Në kuadër të këtij operacioni, në zonën e Currilave, u kapën dhe u arrestuan në flagrancë në tentativë për shitje të dy veprave të antikitetit, shtetasit, A. V., 49 vjeç, banues në Fier, i cili drejtonte automjetitn tip “Toyota”, ku u gjetën veprat e artit; A. V., 37 vjeç dhe R. Z., 48 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Shtetasi A. V. siguronte veprat e artit, ndërsa dy shtetasit e tjerë gjenin klientelën për shitjen e tyre. Vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”, e kryer në bashkëpunim.