Elbasani vijon të koleksionojë rezultate pozitive dhe të marrë fitore të vlefshme sa i përket luftës për mbijetesë në Kategorinë e Parë. Verdheblutë mundën Orikun 1 me 0, ku i mjaftoi një gol i kapitenit Endri Duka nga pika e bardhë e penalltisë për t’i dhënë tri pikët që e mbajnë në garë për të realizuar objektivat.

Që në startimin e sfidës janë vendasit më kërkues, kjo edhe për shkak të detyrimit për të marrë pikë, ndryshe nga bregdetarët që kanë luksin edhe për të bërë ndonjë hap fals. Gjithsesi, për minuta të tëra skuadrat luajnë mirë dhe qarkullojnë topin, me raste sporadike në portat respektive. Fraksioni i parë i lojës mbyllet në barazim pa gola, ndërsa në të dytën do të shpërbleheshin edhe përpjekjet e elbasanasve.

Një ndërhyrje e gabuar në zonë detyron kryesorin Meta të akordojë penallti që e shndërron në gol kapiteni Duka në minutën e 67-të. Mjaftoi vetëm ky fraksion për t’i dhënë tri pikët verdhebluve, me skuadrë që tani sheh më e qetë në sfidat në vijim.

Fiton minimalisht 1 me 0 edhe Turbina në përballjen me Devollin, ndërsa tre skuadra tani janë në kuotën e 28 pikëve: Elbasani, Turbina dhe Devolli, dy më pak sesa Iliria, që qëndron një pozicion më lart dhe dhjetë më shumë sesa Shënkolli që mbyll klasifikimin.