ATSH/ Trajneri i Kombëtares shqiptare U-21, Alban Bushi ka dalë ditën e sotme në një konferencë për mediet, ku ka bërë publike listën e lojtarëve të grumbulluar, në prag të dy ndeshjeve që ekipi Kombëtar i 21 vjeçarëve do të zhvillojë në muajin qershor ndaj Andorrës dhe Bullgarisë në transfertë.

Ekipi i drejtuar nga tekniku Bushi do të fillojë grumbullimin më 25 maj në kompleksin “Tropikal” ku do të qëndrojë deri me 2 qershor përpara se të udhëtojë drejt Andorrës, për të zhvilluar ndeshjen e parë eliminatore të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2023 më 4 qershor. Pas ndeshjes me Andorrën, kuqezinjtë do të nisen drejt Bullgarisë, ku do të zhvillojnë një ndeshje miqësore me 8 qershor.

Trajneri kuqezi, teksa iu përgjigj interesit të gazetarëve, shpjegoi listën me lojtarët e grumbulluar, ku për shkak të dëmtimeve, nuk ka qenë e mundur që të ishin të gjithë lojtarët. Ai u shpreh i kënaqur nga nga kampionati shqiptar nga ku Bushi ka thirrur 8 lojtarë, prej 25 në total. Gjithashtu, ai theksoi se synimi i Kombëtares në këto eliminatore do të jetë vendi i dytë, duke vënë në dukje rritjen e ekipit gjatë këtyre viteve, gjë që u kurorëzua me ngjitjen në një vazo më lart në fund të eliminatoreve të kaluara si dhe furnizimin e ekipit A me lojtarë cilësorë.

Tekniku Bushi u shpreh se në ndeshjen ndaj Andorrës, ekipi do të kërkojë të fitojë, duke parë që në edicionin e kaluar u gabua duke lënë pikë që mund t’i kalonin në fazën play-off, por kësaj radhe skuadra do të jetë e përqendruar dhe e impenjuar maksimalisht.

“Ne jemi munduar të marrim lojtarët që janë më në formë dhe që kanë më shumë minuta. Kjo është e drejtë që jemi në fund të sezonit dhe lojtarët nuk është se janë në formën e tyre 100%, dhe prandaj thashë që jemi munduar të marrim lojtarët më të mirë. Por kur mendon që kemi një grup të datëlindjeve 2000-2001, mendoj që për ata duhet të ketë vetëm etje dhe jo lodhje dhe sidomos kur vesh fanellën e ekipit Kombëtar”, tha ai.

Duke folur për objektivat e Kombëtares U-21 në këtë edicion dhe ndeshja ndaj Andorrës, Bushi u shpreh se, “jemi në një grup të fortë, por të përballueshëm. Te ky grup që jemi do të synojmë vendin e dytë. Jemi një ekip që kemi bërë goxha mirë edicionet e kaluara, jemi një ekip në rritje, jo vetëm duke marrë rezultate të mira dhe duke u renditur për herë të parë në histori në vendin e tretë, por kemi furnizuar edhe ekipin A me shumë lojtarë, që kanë qenë rreth 19. Ky është një objektiv i realizuar i ekipit Shpresa. Do të mundohemi ta bëjmë po të njëjtën gjë, akoma edhe më mirë këtë edicion, duke filluar nga ndeshja me Andorrën, që për ne është shumë e rëndësishme. Do impenjim dhe përqendrim maksimal sepse duket ekip i lehtë në letër, por nuk është aq i lehtë. Ne kemi luajtur edhe edicionin e kaluar dhe kemi barazuar 2-2 atje, duke pasur parasysh se Andorra ka mundur dhe Turqinë, ka marrë barazim dhe me Anglinë në Andorra, por është një ekip që duhet respektuar, por ne kemi më shumë cilësi se ata dhe do ta fitojmë atë ndeshje, por duke qenë të qetë dhe të fortë në dyluftime. Synimi siç e thashë është vendi i dytë, sepse i kemi të gjitha mundësitë për ta bërë këtë, pavarësisht se shumë lojtarë na kanë ikur nga edicioni i kaluar, por kemi pasur edhe një anë të mirë sepse shumë lojtarë që kanë qenë edhe në edicionin e kaluar janë dhe e dinë se çfarë do të thotë ekipi Kombëtar, sepse me atë 2 pikësh që ne lamë ndaj Andorrës në sezonin e kaluar, ne mund të ishim në fazën e play-off tani. Prandaj duhet vlerësuar çdo takim, çdo ndeshje. Unë kërkoj nga lojtarët që të japin maksimumin në çdo stërvitje dhe në çdo ndeshje”.

I pyetur nëse do të jetë ky grupi që do të përfaqësojë U-21 në fushatën eliminatore, Bushi tha se, “patjetër që në grupin kryesor do të jenë këta lojtarë sepse janë gati 25 dhe nuk mund t’i ndryshojmë 25 për të marrë 25 të tjerë, por gati 70-80% do të jenë këta. Ne kemi shumë mungesa këtë radhë, siç është Tuci që është i dëmtuar apo Selmani, të cilët janë lojtarë kryesorë dhe do të jenë baza e ekipit kur të jenë formën e tyre. Por gjithsesi dhe me këta lojtarë që jemi ne do të mendojmë të bëjmë mirë. Por gjithë kohës lojtarët e ekipit Kombëtar unë mendoj se ndryshojnë sepse ne marrim ata që janë më në formë dhe prandaj them që nuk duhet të mendojë askush që në momentin që vjen në ekipin Kombëtar, luan mirë apo luan keq, ai duhet të jetë pjesë. Ai duhet të bëjë shumë mirë në klubin ku luan që ne ta shikojmë çdo javë dhe ta bëjmë pjesë të ekipit. Jam shumë i kënaqur nga kampionati shqiptar sepse kohët e fundit ka nxjerrë shumë lojtarë të rinj. Si në edicionin e kaluar, që kanë mbajtur shtyllën kryesore tek ekipi U-21, por edhe në këtë edicion kemi goxha nga kampionati shqiptar”.

Për marrëdhënien mes U-21 dhe Kombëtares A, Bushi theksoi se, “ne kemi një komunikim shumë të mirë me trajnerin e ekipit Kombëtar A. Gjithmonë mundohemi që të marrim edhe lojtarë nga ekipi A nëse do na duhet, por gjithsesi, ekipi A është më i rëndësishmi nga të gjithë. Mendoj që këto ndeshje do të marrim një lojtar shumë të mirë nga ekipi A, që do të jetë pjesë e jona në ndeshjen ndaj Andorrës dhe që mendoj se do të bëjë diferencën”.

Duke folur për rivalët direkt në grup, Bushi tha se, “ne e dimë se kush është Anglia, është ekip që jemi përballur edhe në sezonin e kaluar. Me ekipet e tjera mendoj se jemi të barabarta, si Çekia, si Sllovenia gjithashtu edhe Kosova. Çdo ekip prej tyre mund të zërë vendin e dytë. Mendoj se përballjet direkte me këto do të bëjnë diferencën, se kush mund të zërë vendin e dytë”.

“Kemi një emër tjetër që do të vijë nga Kombëtarja A dhe mendoj që do të bëjë diferencën, sepse ne kemi shumë nevojë për lojtarë sidomos në pozicione të ndryshme që kemi mungesa, siç është Marvin Çuni, që është i dëmtuar, lojtar i Barit në repartin e sulmit por gjithashtu edhe Ndreçka kështu që do të kërkojmë nga ekipi A dhe besoj se do të vijë”, tha Bushi.

“Do ta diskutoj dhe me trajnerin dhe mund të jetë Broja, mund të jetë Kumbulla”, theksoi ai.