TIRANË, 9 qershor/ATSH/ Në Fier po punohet intensivisht për lidhjen e autostradës me fshatin Vajkan, një nyje problematike kjo sa i takon edhe sigurisë rrugore.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi ndau sot pamje nga punimet në këtë segment të rëndësishëm që siguron lidhjen e banorëve të Vajkanit me autostradën Fier-Lushnjë dhe plotëson infrastrukturën rrugore për gjithë zonën.

Sipas tij, “kjo rrugë do të eliminojë një problematikë të mbartur për banorët e zonës, si dhe do të sigurojë infrastrukturë më të mirë, e cilësi më të mirë jetese”.

Paralel me këtë segment, bashkia e Fierit nuk ka ndalur në asnjë moment punën për garantimin e një infrastrukture me standarde në të gjitha fshatrat.

Investimet në rrugët rurale mbeten një prioritet i bashkisë së Fierit, e cila ka shtrirë investimet e saj në të gjitha njësitë administrative për të siguruar infrastrukturë më të mirë dhe cilësi më të mirë jetese për banorët.

ATSH