Kryeministri Edi Rama ishte sot pranë qendrave të vaksinimit masiv të vendosura në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ku ka nisur rivaksinimi masiv i gjysheve dhe gjyshërve.
“Vaksinimi nuk ndalet”, tha Rama, ndërsa takoi nga afër të moshuar që po merrnin dozën e dytë të vaksinës antikovid.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u shpreh se për ditën e sotme janë planifikuar 10 mijë vaksinime.
“Kemi kryer mbi 416 mijë vaksinime. Sot mendojmë të arrijmë 425 mijë ose më shumë, ndërkohë që kemi disponibilitet përmbi 300 mijë vaksina”, tha ajo.
Procesi vaksinimit masiv po vijon me kalendar të kombinuar, për personat mbi 60 vjeç dhe punonjës të shërbimeve kritike. Në total janë kryer 408 619 doza të vaksinës ndaj COVID-19, prej të cilave 322,710 vaksinime për personat mbi 60 vjeç.
Procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh në të gjithë vendin. /m.m/r.e/