ATSH-AFP/ – Vendi emblematik i Francës dhe një prej më të vizituarve në botë, kështjella e Versajës rihapet nesër pas më shumë se 82 ditësh kufizim, që kanë përkeqësuar modelin e saj ekonomik dhe pa amerikanët dhe aziatikët, që përbëjnë 30% të vizitorëve të saj.
Më parë, kjo kështjellë funksiononte 87% me vetëfinancim dhe 70% nga burimet që vinin nga biletaria e saj. 80% e tetë milionë vizitorëve të saj të përvitshëm vinin nga jashtë.
“Një model ekonomik u shemb dhe kjo do të jetë graduale dhe duke diversifikuar më tej ofertën për vizitorët që ky model të rikthehet sërish”, thekson Catherine Pegard, presidente kësaj ndërtese publike.
“Ministria e Kulturës është e ndërgjegjshme se Versaja, ashtu si Luvri kanë nevojë për mbështetje nga shteti. Kjo është një çështje për profesionet. Gjashtëdhjetë e tetë kompani janë të angazhuara në shumë fusha në këtë vend. Dhe është një ekosistem i tërë me porosi nga tregti shumë të specializuara siç janë industritë e mëndafshit nga Lioni”, thekson ajo.
Mijëra agjentë, disa që jetonin në këtë vend, kanë punuar nga shtëpia gjatë kufizimit dhe i gjithë mjedisi mbeti i boshatisur në vetmi dhe me këngën e zogjve.
Që prej nesër, vizitorët do të mund të kthehen sërish në kështjellë, në kopshtet, në parqet e mëdha, nga fusha e Trianonit dhe deri në fushën e Marly./ /ec/