PARIS, 9 qershor /ATSH-AFP/ – Plani mbështetës për sektorin francez të aeronautikës, i goditur fort nga kriza e koronavirusit përfshin një përpjekje totale prej 15 miliardë eurosh, njoftoi sot ministri i Ekonomisë, Bruno Le Maire.

“Ne po dekretojmë gjendjen e urgjencës për të shpëtuar industrinë tonë të aeronautikës, për të lejuar që ajo të jetë më konkurruese dhe më e dekarbonizuar duke prodhuar aeroplanin e gjelbër të së nesërmes”, theksoi ministri.

“Rreth 1,5 miliardë euro nga financimi publik do t’i kushtohen në tre vitet e ardhshme kërkimit dhe zhvillimit me qëllimin për të arritur një avion neutral me karbon në 2035”, njoftoi Le Maire.

Ndërkohë që rreth një e treta e 35 000 vendeve pune kushtuar R&D në sektorin aeronautik janë vënë në pikëpyetje nga vështirësitë e sektorit, objektivi është përgatitja e gjeneratave të ardhshme të avionëve tregtarë, helikopterëve dhe avionëve të biznesit të pajisura me mënyra të reja lëvizëse që lëshojnë më pak CO2.

ATSH