ATSH – I. Vata/- Bashkëkryetarë të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhoret, Damian Gjiknuri tha sot se miratimi në Komisionin e Ligjeve të amendimeve në Kodin Zgjedhor kontribut i çmuar për në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE
“Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut sapo miratoi me shumicë votash amendimet e Kodit Zgjedhor, produkt që u arrit në sajë të punës së bërë fillimisht në Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore e më pas edhe negociatave të zhvilluara në kuadër të Këshillit Politik”, tha Gjiknuri.
Po ashtu, Gjiknuri shprehet se “gjej rastin të shpreh falenderimin tim për kolegët deputetë që dhanë votën e tyre në mbështetje të këtij projektligji. Gjithashtu falenderoj kolegët me të cilët prej shumë muajsh punuam dhe kthyem në projektligj marrëveshjet politike të arritura. Vlerësim për ekspertët vendas e të huaj që ishin pjesë e këtij procesi dhe mirënjohje pafund për të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë që na mbështetën vijimësisht”.
“Miratimi i amendimeve në Kodin Zgjedhor është një kontribut i çmuar që klasa politike jep në procesin e integrimit dhe realizimit të konferencës së parë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian në kuadër të negociatave të anëtarësimit”, thekson ai. /a.g/