Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, zhvilloi një takim me Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku ku diskutuan në detaje, mbi projekte të cilat lidhen me Elbasanin dhe gjithë qarkun.

 

“Investime duke filluar nga rijetëzimi i Kalasë së qytetit në bashkëpunim me AADF, që synon të rikthejë në vëmendje trashëgiminë kulturore, te revitalizimi i Metalurgjikut, një projekt i ri mjaft ambicioz dhe deri te projekti i shumëpritur i Auto Moto Park Albania, në Krastë, një destinacion i ri që do të sjellë zhvillim inovativ dhe turistik në zonë”, shkroi ministri i MEKI-t në rrjetet sociale.

 

Ministri Blendi Gonxhja shkruan se, këto projekte konkrete do t’i japin Elbasanit vëmendjen që meriton.

 

Më 11 janar të këtij viti u firmos memorandumi i bashkëpunimit me AADF-në, që do të sjellë rikualifikimin dhe rijetëzimin e zonës historike të Elbasanit, duke i dhënë potencial biznesi e destinacioni turistik.

 

Projekti do të zhvillohet në dy faza: studimi i plotë i zhvillimit të lagjes Kala dhe implementimi i projekteve specifike, që do ta kthejnë këtë zonë në një atraksion edhe më të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore, traditës e mikpritjes shqiptare si edhe një magnet për rritjen e numrit të vizitorëve e aktiviteteve social-ekonomike. /j.p/