TIRANË, 11 qershor/ATSH/- Nga 1 174 përfitues nga granti i miratuar nga shteti për të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit, janë lidhur kontratat me 400 qytetarë
Kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana i kontaktuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare tha se, me këtë ritëm ky proces mund të mbyllet brenda të mërkurës tjetër.
“Me kalimin e granteve të Rindërtimit, të gjitha familjet, banesat e të cilave janë dëmtuar në shkallën DS1, DS2 dhe DS3 mund të përfitojnë shumën e caktuar në bazë të dëmit që i është bërë. Shuma është përcaktuar nga vlerësimi që i është bërë dëmeve të banesave të familjeve që kanë aplikuar te portali “Shtëpia ime”,- tha Arbana
“Në bashkinë Shijak janë 1174 banesa individuale dhe 27 banesa kolektive, pra pallate që përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit. Punimet, qytetarët mund t’i bëjnë vetë apo dhe me bashkinë dhe qeveria i subvencionon në bazë të aktit normativ. Nga e hëna deri më sot, janë lidhur 400 kontrata ose 30.7% e tyre. Ne do të punojmë dhe të shtunë dhe të diel dhe me këtë ritëm jemi të bindur se brenda të mërkurës mbyllim këtë proces”,- nënvizoi Arbana.
“Lidhur me shpërndarjen e këtyre pagesave, qytetarët e prekur nga tërmeti në nivelin DS1, DS2 dhe DS3, mund të paraqiten pranë bashkisë ose njësive administrative ku jetojnë për të lidhur kontratën për përfitimin e shumës që i takon në bazë të vlerësimit që i është bërë paraprakisht për dëmin e banesës. Duhet të paraqiten me një kartë identiteti dhe një numër llogarie bankare. Qeveria shqiptare ka miratuar rreth 513 milionë lekë vetëm për bashkinë tonë për vitin 2020”,- nënvizoi Arbana.
ATSH