TIRANË, 6 qershor/ATSH-Maela Marini/ Flukset e qarkullimit të mallrave dhe njerëzve drejt Malit të Zi po shkojnë drejt normalitetit, pas vendosjes së standardit të njëjtë nga të dy shtetet lidhur me lirinë e lëvizjes në kuadër të situatës së shkaktuar nga COVID-19.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ishte sot në pikën e kalimit kufitar të Hanin të Hotit, ku konstatoi se po shkon drejt normalitetit, si fluksi i qarkullimit të qytetarëve edhe ai i lëvizjes së mallrave.
“Është rasti për ta falënderuar qeverinë e Malit të Zi për vendosjen e të njëjtit standard në lirinë e qarkullimit të lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave në këtë pikë. Mali i Zi është vendi i parë që e ka hapur plotësisht qarkullimin me ne dhe po ashtu ne me ta”, tha Lleshaj.
Ai theksoi se “mbetet me rëndësi për forcat e Policisë së Shtetit rritja e vëmendjes tani që shtohet fluksi i lëvizjes dhe është liruar tërësisht regjimi për të mbajtur në kontroll sigurinë, në kuptimin e kontrollit të emigracionit të paligjshëm”.
“Me lirinë e lëvizjes rritet fluksi dhe potenciali për rreziqe të caktuara nga emigracioni i paligjshëm. Ka filluar tashmë zbatimi i një plani intensiv për kontrollin e këtij emigracioni por kontrolli i emigracionit të paligjshëm mbetet një sfidë për Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, që të frenohen të gjitha rreziqet që lidhen me flukset e pakontrolluara, duke filluar nga jugu në veri. Është detyrë e rëndësishme që Policia e Kufirit në tërësi të rrisë masat e kontrollit për të reduktuar çdo risk që lidhet me këtë emigracion”, tha Lleshaj.
Ai theksoi se “me hapjen e sezonit turistik do të shtohen shumë kërkesat ndaj Policisë për të forcuar shërbimet pa penguar qarkullimin e lirë”. “Përkundrazi duke e nxitur, por njëkohësisht duke u kujdesur që qarkullimi i lirë të mos kompromentojë lirinë e lëvizjes dhe sezonin turistik, prej të cilit ne shpresojmë që të marrim kompensimet e nevojshme pas një periudhe të gjatë izolimi dhe kufizimesh”, tha Ministri.
ATSH