Nga sot ka nisur hapja e bareve dhe restoranteve që qëndronin të mbyllura për më shumë se dy muaj për shkak të pandemisë.

Nën rregullat strikte, baret dhe restorantet do të duhet të respektojnë distancimin prej 2 metrash nga tavolina në tavolinë, duhen siguruar dezinfektues në hyrje të bareve për klientët si dhe një higjienë e mirë për vetë personelin e shërbimit që duhet të jetë i pajisur me maska e doreza.

Sa i takon dezinfektimit të ambienteve të bareve dhe restoranteve, ky proces parashikohet të kryhet 2 herë në ditë. Por, si e kanë pritur qytetarët hapjen e bareve dhe restoranteve? Ja si shprehen ata për Tv Skampa.

Po ashtu me zgjatjen e fashës së orarit në zonat e kuqe deri në orën 21:00 dhe eliminimin e tij në zonat e gjelbra, zgjidhet dhe një nga problemet që pronarët e bareve e restoranteve ngritën se nuk mund të punonin deri në 17:30 në orarin zyrtar të punës, pasi nuk do të kishin klientë. Rregullat e reja kanë prekur dhe televizion, ku tashmë në studio mund të ftosh më shumë se dy të ftuar, por duhet respektuar distanca prej 2 metrash.

Lehtësime janë bërë edhe në qarkullimin e mjeteve dhe njerëzve. Në zonat e gjelbra nuk do të ketë më fashë orari, ndërsa në zonat e kuqe, përkatësisht Tiranë, Durrës, Krujë, Shkodër dhe Kurbin zgjatet fasha e orarit deri në orën 21:00. Të vetmet që vijojnë të jenë të mbyllura janë transporti publik, aktivitete sportive dhe kulturore, dhe kufijtë tokësor dhe ajrorë për lëvizjen e qytetarëve.

Elbasaninews.tv