Ilenia Llanaj, vetëm 10 vjeç, vazhdon të mahnitë skenat muzikore, duke fituar çmimin e parë në Festivalin e 11-të Mbarëkombëtar për Fëmijë “Mollëkuqet” në Gjilan, Kosovë. Vajza e talentuar nga Elbasani, e cila po bëhet një emër i njohur në botën e artit, vazhdon të prekë skena të rëndësishme, duke rrëmbyer zemrat e publikut me zërin e saj të fuqishëm dhe performancat mbresëlënëse.

 

Pas këtij suksesi, Ilenia fitoi edhe një medalje në Festivalin “Rising Stars” dhe një ftesë për të marrë pjesë në festivalin ndërkombëtar “Riga Symphony”, që do të mbahet në Letoni më 6-9 dhjetor 2024.

 

E trajnuar prej një viti në kanto me mësuesen e saj Zina Zdrava, Ilenia ka fituar çmime të rëndësishme edhe në konkurse të tjera, përfshirë çmimin e parë dhe të dytë në “Tirana Talent” për zhanret Pop Talent Fest dhe Folk Talent Fest. Ajo gjithashtu shkëlqeu në Festivalin e 35-të të Këngës për Fëmijë në Elbasan, ku me këngën “Mami, babi kanë të drejtë”, të kompozuar nga profesori Edmond Rrapi, rrëmbeu çmimin e dytë. Me të njëjtën këngë, ajo mori pjesë edhe në Festivalin e 62-të të Këngës për Fëmijë në Shkodër.

 

Ilenia është pjesë aktive e Qendrës Kulturore për Fëmijë në Elbasan dhe ka marrë pjesë në shumë festivale lokale, duke spikatur gjithnjë me talentin e saj. Në korrik 2024, ajo fitoi çmimin e parë në projektin “Albania Art Talent”, organizuar nga Shkolla “Metronomi” në Tiranë dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, duke siguruar një bursë njëvjeçare për studime.

 

Me energji dhe vetëbesim të jashtëzakonshëm, Ilenia Llanaj premton të shkëlqejë edhe në skenat ndërkombëtare, duke përfaqësuar denjësisht vendin e saj.