/ATSH-AFP/ – Irlanda filloi sot lehtësimin e masave kufizuese të vendosura në muajin mars për të luftuar kundër përhapjes së koronavirusit të ri duke autorizuar rihapjen e disa dyqaneve dhe rikthimin në punë të nje pjesë të punonjësve.
Parqet, dyqanet dhe tregjet e produkteve ushqimore janë lejuar të rifillojnë aktivitetet , ndërkohë që punonjësit që ushtrojnë profesionet e tyre jashtë si punonjësit e ndërtimit apo kopshtarët të rifillojnë punën.
Terrenet e futbollit, të tenisit dhe golfit mund të rihapen tashmë, me kusht që të respektojnë masat e distancimit social.
Irlandezët janë lejuar gjithashtu të takojnë familjarët apo miqtë për grumbullime të vogla, por në mjedise të jashtme.
“Jam edhe i mrekulluar, por edhe nervoz”, deklaroi sekretari i Shtetit i ngarkuar me Shëndetësinë, Simon Harris, për stacionin publik RTE.
“Nervoz sepse virusi nuk është zhdukur, nuk ka ende një vaksinë dhe ka akoma njerëz në vend që janë të sëmurë dhe që vdesin çdo ditë”, shtoi ai.
Heqja graduale e kufizimeve, të vendosura më 28 mars, do të vazhdojë për disa muaj, deri në gusht./ /ec/ a.jor.