ATSH-AFP/ – Gjiganti i shërbimeve të telekomit kanadez “Bell Canada” njoftoi se kishte zgjedhur grupin suedez ”Ericsson” për vendosjen e rrjetit të tij celular 5G, ashtu si rivali i tij më i vogël “Telus”, i cili ka ruajtur ”Nokia”-n finlandeze.
Qeveria kanadeze ka ekzaminuar për gati dy vjet të lejonë ose jo prodhuesin kinez të pajisjeve ”Huawei” të marrë pjesë në ndërtimin e rrjeteve 5G në Kanada, gjeneratën e ardhshme të internetit celular shumë të shpejtë, por një vendim është në pritje.
SHBA-ja ka përjashtuar gjigantin kinez nga vendosja e teknologjisë 5G në tokën e saj, duke përmendur rreziqet e spiunazhit apo sabotimit të rrjeteve perëndimore dhe po përpiqet të bindë aleatët e saj të bëjnë të njëjtën gjë. ”Huawei” i mohon këto pretendime.
“Bell Canada” dhe “Telus” përdorën kryesisht pajisjet ”Huawei” në rrjetet e tyre të gjeneratës së katërt. Konkurrenti kryesor i Bell, ”Rogers”, ishte drejtuar tashmë te ”Ericsson” për vendosjen e rrjetit të tij 5G.
“Ericsson’ do të sigurojë pajisjet e Rrjetit Radio Access (RAN) për rrjetin kombëtar pa kabull 5G të Bell, duke përfshirë shërbimin unik të banimit në internet pa kabull që Bell ka zhvilluar për të siguruar qasje në internet me shpejtësi të lartë në Kanada”, theksoi gjiganti kanadez i telekomit në një deklaratë./ /ec/