TIRANË, 6 Qershor /ATSH/- Marrëveshja e finalizuar mbrëmë nga Këshilli Politik lidhur me Reformën Zgjedhore tashmë është në duart e ekspertëve për t’u përmbyllur brenda javës së ardhshme.

Këshilli Politik u mblodh pasditen e sotme në ambientet e pallatit të Kongreseve, ku ekspertët ligjorë do të materializojnë në dokument marrëveshjen e finalizuar mes përfaqësuesve politikë.

Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri deklaroi pas përfundimit të takimit të Këshillit Politik se, “takimi i zhvilluar sot ishte thjesht një mbledhje pune, ku iu dha detyrë ekspertëve ligjorë të përgatisin draftin përfundimtar”.

“Ishte një mbledhje pune. I ngarkuam disa detyra ekspertëve dhe brenda javës që vjen do materializohet në dokument marrëveshja dhe drafti i Reformës Zgjedhore, dhe më pas menjëherë do vijojë puna në Komisionin e Posaçëm parlamentar të Reformës Zgjedhore”,- theksoi Gjiknuri.

Në mbledhje ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e PD dhe LSI, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili.

Këshilli Politik arriti dje dakordësinë për administrimin e zgjedhjeve, duke pranuar përfshirjen 100% të identifikimit elektronik të votuesve në zgjedhje. Në draftin e marrëveshjes thuhet se Qeveria e Shqipërisë garanton financimin në kohë për zbatimin aq sa është teknikisht e mundur.

Një nga çështjet e zgjidhura ishte edhe përbërja e komisioneve zgjedhore. Në lidhje me përbërjen e komisioneve të qendrave të votimit thuhet se “dy anëtarë të komisionit kanë të drejta dhe përgjegjësi të kufizuara tek monitorimi dhe kontestimi (titulli do të përcaktohet) një nga qeveria dhe një nga pakica, dhe tre të përcaktuar me short nga KQZ, nga të cilët vetëm një do të veprojë si kryetar dhe do të ndërmarrë vendime”.

Sa i përket çështjes së identifikimit elektronik, ODIHR rekomandon përfshirjen graduale dhe i ka sugjeruar në komente Këshillit që çdo tranzicion i identifikimit elektronik, votimit apo numërimit duhet të fillojë me një program pilot që përbëhet nga jo më shumë se 20 për qind e votuesve që Këshilli ka këshilluar. Partitë duhet të angazhohen të mbështesin zbatimin e identifikimit elektronik që duhet të përbëjë 100 për qind të votuesve në zgjedhjet e ardhshme në atë shtrirje që është teknikisht e zbatueshme. Zbatueshmëria do të përcaktohet nga KQZ e mbështetur prej ekspertëve ndërkombëtarë. Qeveria e Shqipërisë garanton financimin në kohë për zbatimin aq sa është teknikisht e mundur.

Po sipas draftit të miratuar dje, u vendos që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve t’i nënshtrohet procesit të reformimit, ndërkohë që do të krijohet posti i zv.kryetarit të KQZ-së, që do të kujdeset për procesin e zbatimit të projektit të identifikimit biometrik të votuesve. Ndërkohë që pranë KQZ-së do të jetë dhe dy ekspertë të huaj që do të ndihmojnë në përgatitjen, trajnimin dhe zbatimin e procesit të identifikimit biometrik.

Në këtë draft, palët ranë dakord që Kolegji Zgjedhor të përbëhet vetëm nga anëtarë që kanë kaluar procesin e Vetingut. Gjithashtu, Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve do të kenë të njëjtën strukturë si në zgjedhjet e shkuara, sikurse dhe sistemi zgjedhor mbetet i pandryshuar.

Sipas marrëveshjes, “nuk do të bëhen ndryshime në administratën zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe vendore. Nëpunësit publikë do të mund të jenë pjesë e administratës zgjedhore në zgjedhjet (parlamentare dhe vendore) duke nisur nga zgjedhjet e vitit 2025.

ATSH