ATSH-AFP/ – Wuhani, vendi i origjinës së koronavirusit të ri, parashikon të ndërmarrë depistimin e gjithë popullsisë së tij, ndërkohë që rastet e reja kanë rritur frikën për rifillimin e përhapjes në metropolin kinez, njoftuan sot mediat.

Secili prej 13 distrikteve të qytetit prej 11 milionë banorësh ka 10 ditë për të përgatitur depistimin e banorëve, sipas një udhëzimi të bashkisë publikuar në faqen e internetit të “The Paper”.

“Ky depistim do të bëhet me acid nukleik”, thekson udhëzimi.

Koha e parashikuar për të testuar të gjithë popullsinë nuk është vendosur ende.

Plani i depistimit është në shqyrtim të mëtejshëm”, deklaroi një zyrtar i bashkisë i cituar nga e përditshmja “Global Times”.

Wuhani, ku u shfaq epidemia në fund të vitit të kaluar, u vendos në karantinë më 23 janar. Falë një rënieje drastike të kontaminimeve këto masa u hoqën më 8 prill.